Fitore ndaj SC Gjilanit dhe kualifikim në gjysmëfinale
Me fitoren 2-1 ndaj SC Gjilani, siguruam kalimin në gjysmëfinale të Kupës, pas një paraqitjeje të sigurt dhe efikase, sidomos në pjesën e parë. Golin e parë të ndeshjes e realizoi Bleart Tolaj, i cili pas takimit foli për rëndësinë e këtij momenti dhe për paraqitjen e skuadrës.
“Goli i hershëm ishte shumë i rëndësishëm sepse na dha qetësi dhe vetëbesim. Na lejoi ta menaxhojmë më mirë ritmin e lojës dhe ta detyrojmë kundërshtarin të rrezikojë më shumë. Ndaj Gjilanit ishim më të disiplinuar taktikisht, e kontrolluam mesfushën dhe bëmë presion të lartë. Sot ishim më të përqendruar dhe më efikas para portës. Kalimi në gjysmëfinale na jep shumë besim dhe motivim. Kjo fitore është dëshmi e punës që po bëjmë dhe na shtyn të vazhdojmë me të njëjtin fokus deri në fund të sezonit”, u shpreh pas ndeshjes Tolaj.
Tani fokusi kalon te kampionati, ku në xhiron e ardhshme do të luajmë si mysafir ndaj Llapit.





