Ballkani nesër zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit, ku në Suharekë pret rivalin direkt Dritën, në një përballje që pritet të ketë peshë të madhe në garën për kreun e tabelës. Para këtij dueli, Almir Kryeziu theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe nevojën që ekipi të qëndrojë i bashkuar për të arritur objektivin.
“Edhe një ndeshje me shumë rëndësi, sidomos duke parë renditjen aktuale në tabelë. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar dhe të japim maksimumin deri në fund. Tifozët janë një motiv shtesë për ne dhe shpresojmë që në fund t’i shpërblejmë me një fitore”, u shpreh Kryeziu.
Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Dritës është e vlefshme për javën e 24 në Albi Mall Superligën e Kosovës dhe do të zhvillohet nesër nga ora 13:00 në Stadiumin e Qytetit në Suharekë. Hyrja për tifozët do të jetë e lirë.





