Ishim të nderuar të ftohemi në ambientet e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga kryeministri Albin Kurti.
I pari i Qeverisë e ka përgëzuar punën që bëhet në klubin tonë, duke e vlerësuar jo vetëm si sukses sportiv shtetëror, por edhe si inspirim për djemtë dhe vajzat e reja të Kosovës, për t’i ndjekur ëndrrat e tyre.
Poashtu z.Kurti dhe ministri Çeku u shfaqën të hapur për ta mbështetur FC Ballkanin, pasi rrugëtimi i suksesshëm në Evropë, ka forcuar në përgjithësi futbollin e Republikës, duke u përfaqësuar tani me katër skuadra në Evropë.
Presidenti i klubit, Arsim Kabashi, i bëri dhuratë kryeministrit fanellën e FC Ballkanit, të personalizuar me emrin e tij, teksa premtoi që do të vazhdohet me intensitet edhe më të lartë të punohet në vazhdim, në mënyrë që Kosova të përfaqësohet gjithmonë sa më dinjitetshëm nga kampioni i saj.
Nga ana tjetër nikoqirët komplimentuan edhe punën e trajnerit, Ilir Daja, i cili nxori më të mirën nga secili lojtar, për të renditur suksese si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në fund, futbollistët tanë kampionë i bënë edhe një dhuratë kryeministrit, duke ia nënshkruar topin e kompeticionit ku dy herë garuam në grupe, UEFA Europa Conference League.
#FCBallkani