Almir Kryeziu ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren e rëndësishme të ekipit tonë ndaj Dukagjinit, duke kontribuar me një gol dhe një asist në një ndeshje që u vendos në momentet e fundit. Sulmuesi anësor zhvilloi një paraqitje të kompletuar, duke qenë vendimtar në aksionet kryesore dhe duke i dhënë ekipit tri pikë shumë të rëndësishme në kampionat. Pas ndeshjes, Kryeziu u shpreh se fitoret në momentet e fundit kanë një shije krejt tjetër:
“Më vjen mirë që arrita ta ndihmoj skuadrën me gol dhe asist, sepse kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Kjo fitore na jep shumë besim për vazhdimësinë e kampionatit. Na motivon të punojmë edhe më fort dhe të hyjmë në ndeshjet e radhës me të njëjtin fokus dhe dëshirë për fitore. Fitoret që vijnë në minutat e fundit kanë një shije krejt tjetër. Të japin një ndjenjë të veçantë dhe tregojnë karakterin e ekipit tonë. Jam shumë i lumtur për këtë fitore që e arritëm në fund të ndeshjes. Ishte një moment i veçantë dhe emocion i madh për gjithë ekipin“, deklaroi ai.
Me këtë performancë, Kryeziu po kalon një sezon shumë të mirë, duke arritur në 11 gola dhe poaq asistime në kampionat.





