Ekipi ynë rikthehet në aksion në kampionat pas dy fitoreve radhazi në ligë dhe kupë. Portokallezinjtë nesër udhëtojnë drejt Podujevës, ku do të përballen me Llapin në ndeshjen e radhës në Albi Mall Superligë. Para këtij dueli, trajneri i skuadrës, Mislav Karoglan, theksoi se ekipi duhet të mbetet i fokusuar te cilësia e lojës dhe të ruajë seriozitetin në çdo detaj të ndeshjes.
“E rëndësishme është të jemi të fokusuar në cilësinë e lojës sonë. Rezultati duhet të jetë produkt i lojës sonë. Një tjetër gjë është të jemi të fortë në detajet e vogla në fazën defensive. Morali ynë është i mirë dhe pozitiv. Pres një kundërshtar shumë intensiv dhe të motivuar, siç janë të gjithë kundër nesh. Duhet ta barazojmë intensitetin e tyre dhe pastaj cilësia jonë me top do të jetë vendimtare. Për ne çdo ndeshje është njësoj. Nuk i zgjedhim ndeshjet. Mundohemi ta luajmë dhe ta respektojmë lojën në mënyrën e duhur. Duhet të përshtatemi me fushën me bar natyral dhe të ndjekim planin që do të na çojë përsëri te një rezultat i mirë”, ka deklaruar Karoglan.
Takimi ndaj Llapit, i vlefshëm për javën e 23-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, zhvillohet të hënën nga ora 13:00 në Podujevë.





